Kryeministri Thaçi ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Austri
Me këtë rast, kryeministri Thaçi do të pritet nga homologu i tij, kancelari austriak, Werner Faymann, me të cilin do të diskutojë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e Austrisë për përshpejtimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Austri, kryeministri Thaçi do të paraqitet me një fjalë rasti edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku do të prezantojë të arriturat e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë dhe angazhimet institucionale për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.
Në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime të shumta me kryeministra, presidentë dhe personalitete tjera nga fusha e politikës dhe ekonomisë, ku temë bosht do të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe perspektiva evropiane e Kosovës.