Kryeministri Thaçi ka udhëtuar sot për në Mynih
Prishtinë, 31 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për në Mynih, ku gjatë fundjavës do të marrë pjesë në Konferencën e Mynihur për Siguri.
Në këtë forum të rëndësishëm të politikës botërore, që sivjet feston 50 vjetorin, Kryeministri Thaçi do të jetë njëri nga panelistët, krahas presidentëve, kryeministrave të shteteve aleate, dhe personaliteteve tjera globale nga fusha e biznesit, medias dhe shoqërisë civile.
Pjesëmarrës në forum janë edhe Sekretarët e OKB'së, NATO's dhe liderë tjerë botërorë.
Me këtë rast, Kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me liderë botërorë me të cilët do të bashkëbisedojë për arkitekturën e re të sigurisë në botën Euro-Atlantike.
Temë bosht e takimeve do të jetë suksesi i Kosovës në stabilizim dhe demokratizim dhe dialog me fqinjët, që janë një nga pikat e ndritshme të diplomacisë botërore vitin që shkoi.
Pas përfundimit të procesit të tranzicionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, edhe Kosova do të luan rol si eksportuese e resurseve dhe eksperiencës ushtarake në proceset e paqë-ruajtjes dhe shtet-formimit në zona të ndryshme botërore theksoi para nisjes Kryeministri Thaçi dhe shtoi:
Republika e Kosovës ka obligim që në vitin kur po shënohen edhe 15 vite të intervenimit të NATO's, të ofrojë kontributin në misionin e shenjtë të paqes globale tha z.Thaçi.