Kryeministri Thaçi ka udhëtuar sot për në Dubrovnik
Prishtinë, 9 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për në Dubrovnik të Kroacisë, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të liderëve të Evropës dhe Amerikës Veriore Samiti i Kroacisë 2010.
Në këtë samit, ku marrin pjesë kryeministra të vendeve të rajonit dhe ministra e zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian, kryeministri Thaçi do të marr pjesë në diskutimin e çështjeve që ndërlidhen me zhvillimet pas krizës ekonomike globale. Samiti pritet të diskutojë edhe çështjet e sigurisë globale dhe relacionet transatlantike, me theks të veçantë, integrimin e vendeve të rajonit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Bashkëpunimi regjional dhe vizioni për Evropën Jug Lindore është tema tjetër e samitit ku do të marr pjesë aktivisht edhe delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Diskutimi në këtë temë do të afirmojë reformat e brendshme në vendet e Evropës Jug Lindore dhe procesi i integrimit të tyre ne Bashkimin Evropian.
Po ashtu, kryeministri Thaçi në Samitin e Kroacisë do të paraqesë edhe vizionin dhe angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, me theks të veçantë plotësimin e pyetësorit për Marrëveshje Tregtare me BE-në dhe përgatitjet e institucioneve kosovare për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Gjatë samitit, kryeministri Thaçi do të zhvilloj takime bilaterale me burrështetas të rajonit, dhe pjesëmarrës tjerë në këtë samit.