Kryeministri Thaçi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Turqi
Prishtinë, 19 maj - Me ftesë të kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Turiqsë
Në ditën e parë të vizitës, në kryeqytetin turk, Ankara, kryeministri Hashim Thaçi do të pritet nga homologu i tij, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të qëndrojë në Stamboll, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topbaş. Po ashtu, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në takimin e organizuar me përfaqësues turk të biznesit, lidhur me investimet në Republikën e Kosovës.
Kryeministrin Thaçi në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqërojnë ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.
Gjatë vizitës së delegacionit të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, në fushat përkatëse.