Kryeministri Thaçi ka pritur sot Janusz Bugajskin
Organizimi i një konference ndërkombëtare për Kosovën në Uashington, me qëllim rritjen e njohjeve për shtetin e ri ishte në mesin e temave të diskutuara në takimin mes kryeministrit Thaçi dhe drejtorit të Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, Janush Bugajski.
Gjithashtu në takimin e mbajtur në Prishtinë disa nga pikat e tjera të diskutimit ishin edhe integrimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike dhe reforma zgjedhore.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e informoi Bugajski për konsolidimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës dhe për arritjen e marrëveshjes mes partive politike kosovare për zgjedhjen e presidentit dhe për reformën e domosdoshme të Ligjit Zgjedhor dhe për reformën e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejtë nga populli.
Kryeministri Thaçi theksoi se me këtë marrëveshje është krijuar një klimë pozitive për thellimin e mëtejshëm të reformave të gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve për integrimin e Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike.
Kryeministri Thaçi në vazhdim theksoi se ky përkushtim institucional dhe politik dëshmon për pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lidershipit kosovar para qytetarëve të vendit dhe para miqve ndërkombëtar, që na kanë ndihmuar në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën.
Nga ana e tij, drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski fillimisht ka falënderuar kryeministrin Thaçi për mikpritjen e përzemërt dhe e ka uruar për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Bugajski e ka vlerësuar lartë përkushtimin e vazhdueshëm të kryeministrit Thaçi dhe përkushtimin e tij institucional për tejkalimin e ngërçit politik dhe arritjen e konsensusit me partnerin e koalicionit dhe me partinë kryesore opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për fillimin e reformës zgjedhore në Kosovë.
Në takim, dy bashkëbiseduesit janë dakorduar që të fillohen angazhimet për organizimin në një të ardhme të afërt të një konference ndërkombëtare në Uashington për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe për investimet e reja të huaja në Republikën e Kosovës.