Kryeministri Thaçi javen tjetër raportin në Kuvend për bisedimet
Prishtinë, 23 janar - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që seanca e Kuvendit, sipas rendit të ditës së seancës së 21 janarit, të mbahet nesër, më 24 janar.
Pas pikave të rëndomta të seancave plenare, koha për deklarime jashtë rendit të ditës, dhe koha për pyetje parlamentare, në këtë seancë në rendin e ditës do të jenë shqyrtimi i parë i Projektligjit për transplantimin e organeve, shqyrtimi i Propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës, shqyrtimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017, zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë u shqyrtua kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të raportuar në një seancë të Kuvendit lidhur me bisedimet e Kosovës me Serbinë, përkatësisht takimit të katërt ndërmjet kryeminstrave përkatës Thaçi-Daçiq.
Kryesia vendosi që ky raport të jetë në rendin e ditës së një seance në javën e ardhshme.
Në vijim Kryesia shqyrtoi edhe përgatitjet për shënimin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kryetari Krasniqi njoftoi anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare për këto përgatitje, duke theksuar se në shenjë të 5- vjetorit të kësaj date të rëndësishme të historisë së Kosovës, pos tjerash do të botohen edhe një varg publikimesh që kanë të bëjnë me këtë përvjetor.
Seanca solemne për shënimin e 5 - vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u vendos të mbahet më 17 shkurt, në të njëjtën ditë kur edhe është shpallur Pavarësia e Kosovës.