Kryeministri Thaçi: Ideja e Tadiqit për ndarje është e marrë
Prishtinë, 3 gusht - Kryeministri Hashim Thaçi, deklaroi sot se idetë e presidentit serb Tadiq, për negociata mbi statusin e Kosovës, janë krejtësisht të parealizueshme dhe se Kosova tashmë është 100 përqind e pavarur.
Në një intervistë për BBC-në, kryeministri vlerësoi se ideja për ndarje që vjen nga Serbia, është ide e marrë e periudhës së Slobodan Millosheviqit, dhe është e parealizueshme.
Sipas Thaçit, kjo ide nuk i duhet as Serbisë, as rajonit, dhe si e tillë shpejt do të nxirret në harresë. Kosova është njohur nga shtetet më të fuqishme të botës, është pjesë e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe së shpejti do të jetë pjesë e IBRD-së.
Tani, pas vendimit të GJND-së, është hapur një kapitulli ri për shtetin e Kosovës, kapitull i konsolidimit dhe i forcimit të shtetit, i vazhdimit të njohjeve të reja dhe procesi i integrimit në NATO, në BE, dhe në OKB, ka thënë mes tjerash Thaçi për BBC-në.