Kryeministri Thaçi homazhe para varrit të ish presidentit Rugova
Prishtinë, 21 janar - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule mbi varrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, në Lagjen Velania të Prishtinës.
Jemi sot këtu për të bërë nderime shtetërore për presidentin Ibrahim Rugova, me të cilin kam pasur kënaqësinë të punoj një kohë të gjatë dhe të rëndësishme në procesin e vendimmarrjeve me gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimin e rendit demokratik në Kosovë, pra në procesin e vendimmarrjes me ndërkombëtarët, qoftë në Rambuje, pastaj edhe pas Rambujesë edhe në vizitat e ndryshme diplomatike, në Uashington dhe në Bruksel apo kryeqytetet tjera, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi më tutje tha se ne po ndërtojmë sot shtetin e Kosovës, po e krijojmë edhe traditën tonë shtetërore, respektimit dhe vlerësimit shtetëror të personaliteteve të ndryshme për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Një nga këto personalitete ka qenë, është dhe do të mbetet presidenti Ibrahim Rugova, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.