Kryeministri Thaçi fillon vizitën zyrtare në shtetin e Katarit
Prishtinë, 6 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar vizitën e tij në Katar, ku është ftuar me ftesën zyrtare të mbretit Sheik Abdullah bin Khalifa Al Thani.
Në Aeroportin e kryeqytetit të Katarit, Doha, mbrëmë Kryeministri Thaçi është pritur nga një delegacion i lartë shtetëror i Katarit, i udhëhequr nga Ministri i Shtetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Khalid Bin Mohammad Al Attiyah.
Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon agjendën zyrtare të vizitës, me takimet që do të zhvillojë me zyrtarët më të lartë të shtetit të Katarit, si dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atë të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Turqisë, në Katar.
Për nder të Kryeministrit Thaçi, Kryeministri i Katarit, që njëkohësisht është edhe Ministër i Punëve të Jashtme, Sheikh Hamad Bin Jassim Bin Jabr Al-Thani do të shtrojë një darkë zyrtare.
Në orët e mbrëmjes kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të pritet edhe nga mbreti i Katarit, Sheik Abdullah bin Khalifa Al Thani.
Vizita e kryeministrit Thaçi në shtetin e Katarit zhvillohet në kuadër të aktiviteteve lobuese për njohjen e shtetit të Kosovës, në prag të diskutimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.