29 Prill 2024

Kryeministri Thaçi do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Oslo

Prishtinë, 27 nëntor - Me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Oslo.

Gjatë vizitës zyrtare në Oslo, Kryeministri Thaçi do të takohet me homologun e tij norvegjez,  Jens Stoltenberg, me kryetarin e Parlamentit Norvegjez,  Dag Terje Andersen, ministrin e Punëve të Jashtme,  Jonas Gahr Støre, ministrin e Mbrojtjes, Espen Barth Eide.

Kryeministri Thaçi gjithashtu do të zhvillojë një takim të veçantë me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Parlamentit të Norvegjisë.

Në kuadër të vizitës në Norvegji, kryeministri Thaçi dhe kryeministri Stoltenberg do të nënshkruajnë një marrëveshje ndërshtetërore të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë.

Qëllimi i vizitës zyrtare të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Norvegji është thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror midis Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës, forcimi i mbështetjes për konsolidimin dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe perspektiva e avancimit të procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.