Kryeministri Thaçi diskuton me ndërkombëtarët për veriun
Prishtinë, 13 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës ka thirrur sot në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, zëvendës shefin e EULEX-it, Andy Sparks, përfaqësuesin special të BE-së, njëkohësisht shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe zëvendës ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Michael Marfy, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Kryeministri Thaçi ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës.
Kryeministri Thaçi ka theksuar se për të arritur këto objektiva nevojitet rritje e koordinimit dhe e vendosmërisë së mekanizmave ndërkombëtare dhe vendor të sigurisë.
Të gjithë të pranishmit në takim dënuan ashpër aktin terrorist të ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë, në të cilin humbi jetën qytetari i Kosovës Selver Haradinaj.
Poashtu, u dakorduan për angazhimin e koordinuar që në veri të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, dhe në këtë mënyrë të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe e funksionimit demokratik të institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.