Kryeministri Thaç jeton në banesën e drejtorit të IPKO-s
Prishtinë, 5 prill - Aksionarët e kompanisë IPKO kanë krijuar lidhje të forta interesi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministra e ish-ministra të tij. Rezultat i këtyre lidhjeve janë përfitimet e shumanshme.
Shefi i Qeverisë kosovare, i cili nuk ka arritur ende ta bëjë për banim shtëpinë prej 700 metrash katrorë, ka zgjedhur të jetojë së bashku me familjen në banesën e njërit prej drejtorëve dhe aksionarëve kryesorë të kompanisë IPKO, Bujar Musa, në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Thaçi është vendosur në këtë banesë pasi e ka lëshuar banesën e deputetit Shaip Muja ku kishte qëndruar një kohë në rrugën Hilmi Rakovica, shkruan koha.
Ai është duke ndërtuar një shtëpi të madhe në 15. 75 arë truall. Sipas deklarimit të pasurisë, këtë po e bën me paratë e shitjes së shtëpisë në Arbëri në vlerë 260.000 euro dhe 100 mijë euro kredi bankare. Thaçi të ardhura vjetore ka deklaruar 17.318,00 nga puna si kryeministër dhe 18.000,00 të ardhura ka deklaruar se ka bashkëshortja e tij nga puna në universitet.
Në kryeministri dhe Bujar Musa nuk kanë dhënë sqarime se pse kryeministri ka zgjedhur të banojë aty. Nuk kanë sqaruar se a është shitur, falur apo dhënë me qira kjo banesë për kryeministrin e vendit.
Aksionari tjetër në IPKO, Akan Ismajli, vitin e kaluar është shpërblyer me pozitë ambasadori në SHBA. Aksionare tjetër në IPKO nga ky shtet është edhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.
Pozitë me shumë rëndësi për ekonominë kosovare kishte fituar edhe i ndjeri Dino Asanaj, ish-aksionar i IPKO-s. Në vitin 2008 ai ishte kryetar i Bordit të AKP-së. Pas këtij emërimi ia kishte shitur aksionet Bujar Musës rreth gjysmë milioni euro.