Kryeministri të veprojë në kërkesat legjitime të protestuesve
Prishtinë, 3 shkrut - Në prag të protestës së nesërme, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sërish u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të veprojnë me maturi karshi kërkesave legjitime të protestuesve dhe mos ti anashkalojnë ato me pretendimet se janë politike dhe se Kosova ka probleme më të mëdha.
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Jabllanoviç, me agjitimin të shkaktuar nga komentet e tij është bërë pengesë reale e qeverisjes dhe po vonon procesin e adresimit të sfidave madhore, me të cilat sot po përballet shteti i Kosovës.
Migrimi masiv në mënyrë ilegale i qytetarëve të pakënaqur, papunësia dhe stagnimi ekonomik janë sfida që nuk presin, andaj Qeveria e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi në realizimin e kërkesave legjitime të protestuesve dhe ta kthejë vëmendjen dhe energjinë tek adresimi i këtyre problemeve.
Qeveria e Kosovës, nuk duhet të tolerojë asnjë zyrtar të saj të bëjë deklarata të pamatura që prekin dinjitetin e qytetarëve dhe integritetin e shtetit të Kosovës, andaj, të veproj sa më parë në shkarkimin e ministrit Jabllanoviç. Në anën tjetër, Ligji për Ndërmarrjet Publike duhet të kthehet sa më shpejt për shqyrtim në Kuvend, në mënyrë që të definohet statusi i Trepçës dhe e njëjta të mos futet si temë në dialogun e shtetit të Kosovës me atë të Serbisë.
KDI kërkon që Interpelanca e Kryeministrit të jetë një debat konstruktiv në mes të Kryeministrit dhe partive opozitare dhe ti shërbejë zgjidhjes së problemeve. Ky është një rast i mirë që Kryeministri Mustafa të reflektojë dhe veprojë karshi kërkesave të qytetarëve, dhe të sigurojë ata se kërkesat e tyre legjitime nuk injorohen.
Apelojmë për protesta të qeta dhe pa dhunë. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të shprehin publikisht vullnetin e tyre për zhvillimet në vend, sidoqoftë KDI bën thirrje që partitë opozitare të adresojnë vullnetin e protestuesve në Parlament dhe institucione qeveritare.