Kryeministri Mustafa uron gratë për nder të 8 Marsit
Prishtinë, 8 mars - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka uruar gratë kosovare për nder të festës së tyre, 8 Marsit.
Historia e Ditës së Gruas nuk njeh vetëm kërkesat e grave për të drejtat e tyre; të votës, qeverisjes, punës, arsimimit, për ndalimin e diskriminimit por edhe për kundërshtimin e tyre ndaj dhunës, luftës, urisë..., ka shkruar Mustafa në Facebook.
Këso ishin edhe gratë kosovare të fundshekullit të njëzetë. U gjetën në radhët e para të protestave kundër dhunës e terrorit. U përplasën me makinerinë ushtarake e policore për të ruajtur dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur familjen dhe për ta fituar lirinë e vendit të tyre. Ishin luftëtare, heroina, dëshmore të kombit.
Të tilla janë edhe sot. Në institucionet më të larta të vendit, bartëse të arsimit e edukimit, mjeke e afariste, police e pjesëtare të FSK-së, kultivuese të familjes e edukatore të fëmijëve. Meritojnë edhe më shumë. Kujdesin më të madh të shoqërisë, shkruan ai.
Shoqëritë e emancipuara cilësohen me pozitën sociale të gruas, me përfshirje të madhe të grave në të gjitha aktivitetet ekonomike e sociale. Vlerat e një shoqërie nuk maten me numra të veçuar, ato pasqyrohen përmes harmonisë. Do të punojmë së bashku të ndërtojmë vlerat tona.
Zonja të nderuara, Ju uroj 8 Marsin!, ka shkruar kryeministri Mustafa.