Kryeministri Mustafa sot raporton në Kuvend
Prishtinë, 17 shtator - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot mban mbledhjen e parë për sesionin vjeshtor ku pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve të deputetëve në adresë të qeverisë si pikë kryesore e rendit te ditës për seancën plenare do të jetë raportimi i kryeministrit, Isa Mustafa lidhur me marrëveshjet e 25 shtatorit në Bruksel.
Më pas, do të zhvillohet interpelanca e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për letërnjoftimin dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës. Më pas pritet të emërohen anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe një anëtar i Komisionit për Kërkesa Pronësore, ndërsa në fund parashihet formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.