Kryeministri Kurti u kërkon dy falje qytetarëve të Kosovës
Prishtinë, 15 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar falje qytetarëve të Kosovës, për shkak se prej sot nuk do të mund të realizohet qëndrimi i tij për heqjen e taksës 100 për qind në lëndën e parë që importohet nga Serbia.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qëndrimi i tij për taksën, i shprehur më 26 shkurt 2020 nuk u bë vendim, pasi ende nuk ka arritur ta bind partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë është i bindur “zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.
Kërkim falja tjetër e Kurtit ka të bëjë me seancën e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, e që sipas tij, “nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona".
"Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje", ka theksuar Kurti.