Kryeministri Kurti takoi udhëheqësen e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich
Prishtinë, 24 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti mbrëmë në zyrën e tij, udhëheqësen e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, si në fushën e ndërmarrësisë e sigurisë edhe asaj të kulturës, marrë parasysh historinë e përbashkët të miqësisë nga e kaluara.
Në mes tjerash u fol edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e diplomacisë dhe ekonomisë, përmes dinamizimit të komunikimit dhe të vizitave të ndërsjella të përfaqësuesve institucionalë të të dy vendeve.
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e mbështetur restaurimin dhe revitalizimin e ndërtesës e cila do të akomodojë Qendrën Kulturore Hebraike në Prizren.
Kjo qendër, ndër të tjerash do të prezantojë ekspozitën ku do të shfaqet historia e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe historia e komunitetit Hebre në Kosovë.