Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s e BE-së
Prishtinë, 26 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve në Kosovë të shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe Japonisë e Zvicrës.
Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u potencua përkushtimi i palëve për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve në Kosovë të shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe Japonisë e Zvicrës.
Lidhur me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.
Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.
Në këtë takim, që pason atë të djeshmin me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it, u bisedua edhe për proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.