23 Dhjetor 2024

Kryeministri Kurti takoi ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias

Delfi, 9 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në ditën e tretë të Forumit Ekonomik të Delfit.

Kryeministri Kurti foli për progresin e shënuar gjatë një vit qeverisjeje, angazhimin për reforma në drejtësi, sundim të ligjit dhe zhvillim të ekonomisë.

Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Kryeministri Kurti theksoi  rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë, si vend i rëndësishëm i rajonit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, veçanërisht në Programin e Partneritetit për Paqe.   

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ritheksoi se nga ai duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Ministri Dendias e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë greke për të shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera.

Ai tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë  përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te situata në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus dhe ndikimi që mund të ketë në destabillizimin e Ballkanit Perëndimor.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)