Kryeministri Kurti takoi kongresistin Jim McGovern
Washinton, D.C., 18 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Washington, D.C. kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve. Kryeministri ia ka shprehur atij mirënjohjen për përkrahjen nga Kongresi dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ai e ka njoftuar kongresistin McGovern për progresin përgjatë qeverisjes njëvjeçare, synimet, planet dhe prioritet e qeverisë në vijim të mandatit. Kryeministri ka thënë se vitin e kaluar kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me rritje prej 83,6% të eksporteve, 21% rritje të IHD-ve, 30% rritje të të hyrave tatimore dhe 31% rritje të të hyrave doganore.
Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri Kurti ka theksuar reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës duke u rreshtuar përkrah ShBA-së dhe BE-së, me vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe me ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Ukrainën.
Ai e ka vënë theksin te rreziku që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkak të, siç ka thënë ai, lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, në veçanti asaj ushtarake. Aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë kryeministri. Këtë e ka mbështetur në veprimet që ndërmori Serbia kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme.
Serbia e përshkallëzoi këtë çështje në një provokim ushtarak, duke fluturuar helikopterë ushtarakë të dhuruar nga Rusia dhe avionë luftarakë Mig-29 afër pikës kufitare në Jarinje, ka thënë kryeministri Kurti dhe ka shtuar se ambasadori rus në Beograd, Aleksander Botsan Harçenko, e ka vizituar pikën kufitare së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, për të inspektuar grumbullimin e trupave ushtarake serbe atje.
Kryeministri Kurti ka potencuar që megjithëse NATO është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë.