Kryeministri Kurti siguroi përfaqësuesit ENOMO-së për bashkëpunim të plotë
Prishtinë, 29 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitorues të zgjedhjeve (ENEMO) në Kosovë, Pierre Peytier dhe znj. Elene Nizharazde.
Kryeministri Kurti i njoftoi vëzhguesit me situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke theksuar përpjekjet për tejkalimin e vështirësive të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe situatën e sigurisë në lidhje me bllokimin e rrugëve në drejtim të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Me theks të veçantë u diskutuan zhvillimet, ecuria e fushatës dhe pritjet për zhvillimet e mëtejme në lidhje me fushatën për zgjedhjet lokale më 17 tetor 2021.
Kryeministri Kurti siguroi përfaqësuesit e këtij misioni për bashkëpunim të plotë të gjitha institucioneve shtetërore, duke kërkuar transparencë të plotë.
Vëzhguesit e njoftuan Kryeministrin me misionin e tyre, përpjekjet për vëzhgimin sa më real dhe objektiv të fushatës, synimin për përcjelljen e mediave, sidomos atyre elektronike përmes analizave nga specialistët e marrëdhënieve midis mediave dhe zgjedhjeve.
Përveç paraqitjeve publike mediale menjëherë pas zgjedhjeve, ky mision do të përgatisë edhe një raport përfundimtar me rekomandime në muajin shkurt 2022, i cili do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente dhe do të bëhet publik.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i LVV dhe njëherit anëtari i KQZ, z. Sami Kurteshi.
â