Kryeministri Kurti raporton para deputetëve për dialogun me Serbinë
Prishtinë, 11 qershor - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të rregullt plenare.
Seanca e sotme do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetje parlamentare.
Pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë diskutimi mbi ecurinë e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, sipas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti.
Seanca do të vijojë me shqyrtimin e propozim-vendimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe shqyrtimin e raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.
Debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, ndërkaq, do të zhvillohet ditën e hënë, më 14 qershor 2021.