Kryeministri Kurti priti në takim Shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë
Prishtinë, 2 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim njoftues Nona Zicherman, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. Në takimin e përbashkët me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe përfaqësuesit e UNICEF-it, u bisedua për koordinimin e afërt në një sërë projektesh e nismash të përbashkëta.
Kryeministri vlerësoi përkrahjen nga UNICEF dhe partnerët për vizionin afatgjatë që i mundëson Kosovës të jetë pjesë e përpjekjeve globale për arritjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ai theksoi prioritetet e Qeverisë për shoqëri të barabartë, duke veçuar mbështetjen për lehona dhe shtesat për fëmijë, arsimin e lartë pa pagesë, investimet në çerdhe si dhe sistemin dual të arsimit.
Me theks të veçantë u bisedua për fëmijët dhe të rinjtë. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me një moshë mesatare prej 29.5 vjeç dhe 31% e popullsisë së Kosovës është nga 0-18 vjeç, e që janë qytetarët më të cenueshëm. Prandaj fëmijët dhe të rinjtë qëndrojnë në qendër të gjithçkaje që parashikon Qeveria. Ne do të duhet të sigurohemi që këta të rinj dhe fëmijë të rriten në një mjedis të drejtë me të drejta dhe mundësi të barabarta, ku ata mund të përmbushin potencialin e tyre të plotë, pavarësisht nga gjinia, përkatësia etnike apo aftësitë, tha kryeministri.
Znj. Zicherman e përgëzoi Kryeministrin për punën e Qeverisë dhe nismat e saj, veçanërisht për shtesat për fëmijë, si mekanizëm efektiv për të reduktuar varfërinë tek fëmijët. Ajo u shpreh e lumtur që po shohim një buxhet që prioritizon zhvillimin social, familjet dhe fëmijët. Investimi në edukimin e hershëm është investim më profitabil, theksoi ajo.
Ministrja Nagavci theksoi se një prej objektivave të MASHTI-it është gjithpërfshirja. Ajo e njoftoi znj. Zicherman se MASHTI ka ndarë buxhetin për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, dhe tashmë ka filluar programi i studimit për përgatitjen e 56 kandidatëve të parë. Këtë vit Ministria ka ofruar mbështetje për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nëpërmjet bursave për vitin shkollor 2021/22 për nxënësit e shkollave të mesme të larta nga këto komunitete, ndërsa për vitin e ardhshëm ka ndarë buxhet në vlerë 200.000 euro për qendrat që punojnë me këto komunitete.
U bisedua për bashkëpunimin në zhvillimin e Sistemit Kombëtar të Informacionit të Arsimit. Ky sistem do të përmirësojë kapacitetet për mbledhjen dhe monitorimin e të dhënave të MASHTI-it dhe do të informojë një plan sektorial gjithëpërfshirës të bazuar në të dhëna cilësore.
Gjithashtu, u bisedua për situatën me COVID-19 në arsim dhe vështirësitë e sfidat që ka sjellë në procesin e mësimit, por edhe bashkëpunimin dhe përkrahjen që UNICEF i ka dhënë MASHTI-it në mbarëvajtjen e procesit mësimor. Kryeministri Kurti falënderoi UNICEF-in edhe për punën në terren lidhur me vaksinimin kundër COVID-19. Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe me ndihmën e personelit shëndetësor, kemi arritur të administrojmë rreth 1.6 milionë doza.