Kryeministri Kurti priti në takim drejtoren e Institutit Demokratik Kombëtar
Prishtinë, 4 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim drejtoren e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), znj. Nancy Soderberg.
Znj. Soderberg e përgëzoi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe u shpreh e gatshme për thellimin e bashkëpunimit, meqë tashmë edhe fizikisht do të punojë në Kosovë.
Rëndësia e zhvillimit dhe thellimit të mëtutjeshëm të demokracisë, përveç që është punë e përpjekje e vazhdueshme e Institutit Demokratik Kombëtar, ajo tashmë është edhe në agjendën e prioriteteve të qeverisë sonë, tha kryeministri Kurti. Demokracia zhvillohet kur politikat janë progresiste e ajo thellohet kur në të marrin pjesë edhe më shumë gratë, rinia si dhe grupet e margjinalizuara, shtoi ai.
Temë e takimit ishin edhe zgjedhjet lokale që po afrohen. Zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti ishin shembull me mbarëvajtjen e tyre të rregullt, theksoi kryeministri Kurti. Nga këto zgjedhje, vazhdoi ai, duhet të dalin udhëheqje komunale, të cilat u shërbejnë me përgjegjësi qytetarëve dhe që ua përmirësojnë atyre përditshmërinë.
Instituti Demokratik Kombëtar është organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, që punon në përkrahjen dhe forcimin e institucioneve demokratike në mbarë botën, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë.