Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorin norvegjez, Jens Erik Grøndahl
Prishtinë, 22 prill 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.
Kryeministri Kurti fillimisht e falënderoi për mbështetjen në organizimin e vizitës në Norvegji ku pati takim me Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt, atë të Tregtisë dhe Industrisë Jan Christian Vestre, të Naftës dhe Energjisë, Terje Aasland dhe Konfederatën e Sindikatave Norvegjeze dhe Federatën e Punëdhënësve.
Në takim u diskutuan hapat që duhet ndërmarrë pas kësaj vizite të suksesshme e sidomos në fushën e energjisë, sigurisë dhe mbrojtjes, fusha këto ku mund të kemi partneritet dhe bashkëpunim konkret. Gjithashtu u diskutua edhe për procesin e arritjes së marrëveshjes tregtare në mes Kosovës dhe EFTA-s dhe gatishmërinë e Norvegjisë për të arritur atë sa më shpejtë.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Grøndahl biseduan edhe për mbështetjen e Norvegjisë në fushën e shëndetësisë dhe përmirësimin e menaxhimit të të dhënave shëndetësore.