Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Hungarisë
Prishtinë, 21 tetor - Me ftesë të ambasadës së Hungarisë në Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Hungarisë.
Duke iu adresuar të pranishmëve, kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që është në mesin e tyre për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, ditën kur Hungaria u shpall republikë.
“Sot, derisa festojmë krijimin e Republikës së Hungarisë dhe përkujtojmë revolucionin, duhet të marrim forcën dhe fuqinë për t’u ngritur së bashku në mbrojtje të demokracisë dhe për mbështetur me të gjitha mjetet njerëzit dhe liderët që ngrihen kundër shtypjes dhe luftojnë për liri dhe vetëvendosje” tha kryeministri.
Në këtë ditë të rëndësishme për Hungarinë, kryeministri falënderoi ushtarët hungarez, pjesë emisionit të KFOR-it, për kontributin e tyre për paqe, liri dhe siguri, humanizëm dhe demokraci.
Si një prej vendeve të para që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për gjetur mënyra drejt avancimit të marrëdhënie dypalëshe.
“Po punojmë dhe bashkëpunojmë në shumë nisma dhe projekte të ndryshme në interes të përbashkët. Përderisa ushtarët hungarezë garantojnë paqen në Kosovë, ne jemi mirënjohës që studentët tanë po mësojnë dhe marrin njohuri nga universitetet më të mira hungareze, dhe që kemi një diasporë punëtore dhe të integruar mirë atje e që na ofron edhe më shumë me njëri tjetrin”, deklaroi kryeministri Kurti.
Në fund, teksa ia uroi të gjitha të mirat Hungarisë dhe popullit hungarez, ai shtoi se forcimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përkushtim dhe qëllim i yni.