23 Dhjetor 2024

Kryeministri Kurti mirëpret gazetaren e parë ukrainase të strehuar në Kosovë

Prishtinë, 17 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, znj.Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase e strehuar në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus.

“Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionin në Ukrainë. Solidariteti ynë me popullin tuaj dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe është e përkushtuar të punojë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë globale.

Ai falënderoi Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ) dhe Asociacionin e Gazetarëve në Kosovë (AGK) për bashkëpunimin në programin Gazetarët në Rezidencë (Journalists in Residence) në Kosovë.

“U jam sinqerisht mirënjohës Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mundësinë për të kërkuar strehim në vendin tuaj nën programin Gazetarët në Rezidencë në Kosovë. Për mua kjo është para së gjithash një mundësi për të mbetur në profesionin e rëndësishëm të gazetarit”, tha zonja Makey, gazetare ukrainase.

"Fatkeqësisht, është e rrezikshme të jesh gazetar në Ukrainë sot. Okupatorët rusë rrëmbejnë, kërcënojnë dhe vrasin gazetarë. Së fundmi, Unioni Kombëtar i Gazetarëve të Ukrainës publikoi një listë të gazetarëve të vdekur. Ajo përmban më shumë se 20 emra të kolegëve të mi. Ata të gjithë thanë të vërtetën për këtë luftë të përgjakshme”, shtoi zonja Makey.

Ajo theksoi se është e impresionuar nga dëshira e kosovarëve për të mbështetur kolegët ukrainasë.

“Jam e prekur deri në lotë se si njerëz plotësisht të huaj duan të ndihmojnë ukrainasit”, tha ajo, duke shtuar se beson se ky bashkëpunim dhe solidaritet me gazetarët është një hap i rëndësishëm drejt paqes.

Zonja Makey është e para në mesin e 20 gazetarëve ukrainasë që Kosova do të pres në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë Kosova.

Programi i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t'u mundësuar gazetarëve ukrainasë të punojnë nga distanca. Aplikimet për programin Journalists-in-Residence Kosova janë ende të hapura.

Në takimin e sotëm ajo u prit edhe nga Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme, Flutura Kusari, ECPMF dhe Xhemajl Rexha, AGK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)