Kryeministri Kurti kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer
Prishtinë, 14 qershor - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar
pas kidnapimit të tre policëve kufitare të Kosovës, nga ana e Njësisë
Speciale të Policisë së Serbisë.
Kidnapimi i tyre është bërë në
thellësi të territorit të Kosovës. Kryeministri Kurti deklaroi se tre
zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin
ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300
metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, shkruan në reagimin e tij kryeministri i Republikës.
“Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit”.
Kryeministri deklaron se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”.