Kryeministri Kurti bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Abri të Epërme
Abri e Epërme, 26 shtator - Në përvjetorin e 23-të të masakrës në familjen Deliu, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, dhe deputetë të Kuvendit, kanë vënë kurora të freskëta lulesh dhe kanë bërë homazhe para varreve të dëshmorëve.
Pas homazheve kryeministri Kurti tha se jemi sot këtu, me rastin e 23 vjetorit të masakrës së familjes Deliu, ku në këto varre ata janë bashkë me të vrarët nga familja Mulliqi.
“Të gjithë këta dëshmorë e martirë neve na e kujtojnë e na e përkujtojnë se sa i madh ka qenë çmimi i çlirimit edhe i lirisë, që rrënjët e tyre i kanë në gjakun e të vrarëve tanë. As emri i tyre nuk do të harrohet kurrë e as gjaku i tyre nuk do të humb kurrë”, tha kryeministri.
Kryeministri tha se si krerë të institucioneve të Republikës e kemi për obligim që të angazhohemi me krejt çfarë mundemi e dijmë për drejtësinë për ta, meqenëse as urdhërdhënësit e as ekzekutorët nuk janë ndëshkuar.
Në këto varre pushojnë të vrarët, që sipas datëlindjeve, kanë qenë foshnje 3 muajshe deri te pleq 93 vjeçar, tha ai. “Është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë që ka dashur ta shfaros popullin tonë nga trojet e veta autoktone”, theksoi kryeministri Kurti.
“Bashkë me neve është edhe Mentori, i cili e mban mend masakrën e 26 shtatorit të vitit 1998 meqë në atë kohë ka qenë 9 vjeç dhe dy motrat e tij, 14 vjeçare dhe 16 vjeçare janë vrarë në atë masakër bashkë me babën e tij dhe axhën e tij”, tha kryeministri.