Kryeministri Isa Mustafa vizitoi Komunën e Lipjanit
Lipjan, 23 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar të enjten Komunën e Lipjanit ku është takuar me udhëheqjen komunale si dhe ka vizituar objekte arsimore e ekonomike në Lipjan.
Pas takimit me kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, dhe me qeverinë komunale, kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për gazetarë, bëri të ditur se gjatë takimeve është diskutuar lidhur me çështjet të cilat e preokupojnë këtë komunë, që lidhen me shumë sfera.
Kryeministri konstatoi se rezultatet konkrete në përmirësimin e gjendjes do të arrihen në bashkëpunim ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, në mënyrë që rezultatet të shihen në terren e të përjetohen nga qytetarët, kompanitë që veprojnë në territorin e kësaj komune dhe në territoret e komunave tjera.
Është çështja e pastrimit të ujërave të zeza një çështje e pazgjidhur e kësaj komune dhe e shtratit të lumit Sitnica, për arsye të vërshimeve dhe rrezikimit të popullatës dhe të pasurive që ne do ta trajtojmë së bashku me Ministrinë e Ambientit, me Qeverinë dhe me ministritë e tjera. Janë çështjet e aktivizimit të dy zonave ekonomike të cilat ekzistojnë këtu, por të cilat do të aktivizohen, do të vihen në shërbim të kompanive të ndryshme, në tërheqjen e investitorëve të jashtëm, në shërbim të punësimit dhe të prodhimit vendor.
Kemi probleme edhe në fushën e arsimit sepse ka shkolla të cilat kanë filluar shumë herët e të cilat nuk janë përfunduar, ndërsa fëmijët vazhdojnë të mësojnë në kushte jo të mira dhe të papërshtatshme për punën e tyre, theksoi kryeministri Mustafa, duke përmendur edhe problemet e borxheve të trashëguara, të cilat janë mjaft të larta dhe të cilat qëndrojnë në proporcion 3 me 1 në krahasim me kapacitetin buxhetor për investime në këtë komunë.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu tha se do të përcaktohen së bashku prioritetet, do të punohet në renditjen e tyre dhe do të arrihet që Komuna të realizoj synimet e saj. Këto synime, janë synime tona të përbashkëta të zhvillimit të kësaj Komune, e cila është shumë afër Prishtinës dhe e cila duhet të ndaj fatin edhe të pjesës së komunave të tjera që gravitojnë në këtë pjesë të Kosovës, tha kryeministri Isa Mustafa.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e kryeministrit Isa Mustafa në Lipjan. E informuam për sfidat me të cilat jemi ballafaquar dhe vazhdojmë të ballafaqohemi, në të njëjtën kohë e informuam kryeministrin për objektivat tona, për agjendën tonë buxhetore, për investimet që po ndodhin dhe me të cilat mendojmë ti japim prioritet zhvillimit të mëtutjeshëm në Komunën tonë.
Kemi marrë mbështetje dhe po besoj që në agjendat e ardhshme buxhetore të Qeverisë, do të ketë mbështetje në sektorët që ne i kemi vënë si prioritet, tha kryetari Ahmeti, duke e falënderuar kryeministrin për përkrahjen e ofruar.
Më pas, kryeministri Isa Mustafa vizitoi Shkollën Fillore Ismail Luma në Lipjan, ku u prit nga stafi arsimor dhe nxënësit, me ç rast u informua për procesin mësimor dhe kushtet në këtë shkollë.
Gjatë qëndrimit në Lipjan, kryeministri Isa Mustafa vizitoi edhe Fabrikën Fox Marble, në fshatin Ribar i Madh, ku u njoftua për këtë investim të rëndësishëm për nxjerrjen dhe përpunimin e Mermerit.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa u shpreh se kjo fabrikë dëshmon se në Kosovë ka mundësi për prodhim për tregun e Kosovës dhe për tregjet ndërkombëtare.
Më vjen mirë veçmas që investimi është nga Britania e Madhe, nga arsyeja që ne jemi shumë të interesuar që ekonominë tonë ta lidhim me ekonominë e vendeve perëndimore dhe me ato ekonomi të cilat kanë përvojë edhe teknologjike edhe përvojë të tregut e cila neve na mungon.
Është mirë që shfrytëzohen edhe rezervat e mineraleve nga vendi, që mermeri të jetë nga këto treva, dhe ne ta plasojmë atë prej nxjerrjes deri te prerja dhe përpunimi i tij dhe do të mundohemi maksimalisht që edhe ne të japim përkrahje që të afirmojmë këtë fabrikë dhe që ky investim të jetë pastaj si një rrugë e mirë e tërheqjes së investimeve tjera nga Britania e Madhe, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ndërkaq, ambasadori britanik, Ruairi OConnell, i pranishëm në këtë vizitë, vlerësoi rëndësinë e përkrahjes së Qeverisë për projekte të tilla.
Kjo tregon që investimi nga vendet e huaja në Kosovë është i mundur. Është e mundshme të tregohet se ka qasje në zhvillimin ekonomik në Kosovë nëse ka mbështetje nga ana e Qeverisë dhe nga ana e institucioneve të Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme, tha ambasadori britanik, duke shprehur mbështetjen dhe bindjen se ky projekt i rëndësishëm, që punëson njerëz, do të ketë sukses në të ardhmen.