Kryeministri i Sllovenisë sot viziton Kosovën
Prishtinë, 8 mars - Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, do të qëndrojë sot në Kosovë. Në orët e para të mbrëmjes ai pritet të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi.
Vizita e sotme e zotit Pahor pason takimin që ai zhvilloi javën e kaluar me presidentin e Serbisë, Boris Tadic dhe kryeministren e Kroacisë, Jadranka Kosor.
Sllovenia do të jetë mikpritëse e Konferencës së krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, e cila do të mbahet më 20 mars.
Serbia ka kushtëzuar praninë e saj në këtë konferencë me emërtimin e Kosovës si Kosovo-Unmik, gjë e cila është kundërshtuar nga udhëheqësit e lartë të institucioneve në Kosovë.
Sipas disa raporteve, pas takimit të sontëm, është e mundur që kryeminstri slloven dhe ai kosovar të udhëtojnë bashkë për në Lubjanë.