Kryeministri Hoti sot në interpelancë lidhur me dialogun Kosovë - Serbi
Në vazhdimin e seancës, pritet të shqyrtohen pesë projektligje: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Në seancën e re, ndërkaq, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të formojë Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media nga radha e komunitetit shqiptar, si dhe atë për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe propozimi i GP Nisma Socialdemokrate për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Kryesia la të hapur mundësinë që nëse plotësohen kushtet formale-juridike, në këtë seancë do të futet si pikë e fundit e rendit të ditës edhe interpelanca me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministrit Hoti do t’i drejtohet më një shkresë, me kërkesën për raportim në Kuvend para nisjes për në Uashington, në takimin e paralajmëruar për datën 27 qershor 2020, midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia.