Kryeministri Haradinaj fton qytetarët të dalin të votojnë
Prishtinë, 19 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga bashkëshortja Anita Haradinaj, ka votuar në shkollën e Mjekësisë "Dr.Ali Sokoli", në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet, pasi që qytetarët me vendimin e tyre zgjedhin se kush do t'i udhëheq në katër vitet e ardhshme.
"Sot, kryva obligimin qytetar të votës. Mendoj se raundi i dytë i votimit është një moment po ashtu i rëndësishëm sa edhe raundi i parë. I ftoj qytetarët e vendit, pra të gjitha komunave që janë në balotazh në raund të dytë, që të votojnë dhe me këtë vendim të tyre jetojnë katër vjet."
"Rëndësia është jashtëzakonisht e madhe dhe dalja është shumë e rëndësishme. Kosovën e presin shumë punë por ata që i marrin përgjegjësitë duhet ta kenë legjitimitetin e qytetarëve, andaj i lus qytetarët e vendit që mos ta neglizhojnë por të dalin e të votojnë", tha kryeministri Haradinaj.