Kryeministr Thaçi kërkon njohjen e Kosovës nga Egjipti
Prishtinë, 12 tetor - Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë takimit ka shprehur falënderimin e thellë për delegacionin e spektrit politik nga Egjipti, i kryesuar nga Dr. Abdullah Hassan Ali Allashaal.
Me këtë rast Thaçi ka njoftuar delegacionin e lartë nga Egjipti me zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës beson se është koha për fillimin e një bashkëpunimi në mes të dy vendeve, Kosovës dhe Egjiptit.
Kryeministri Thaçi, para anëtarëve të delegacionit egjiptian ka shpalosur disa nga prioritetet e Qeverisë, para se gjithash për reformat në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Tri vite pas shpalljes së Pavarësisë, Republika e Kosovës ka konsoliduar institucionet e veta, qeverisjen e mirë, transparente, efektive, fuqizimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, është duke implementuar vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Mbi të gjitha, pavarësia e Kosovës, ka prodhuar më shumë stabilitet, paqe, prosperitet dhe bashkëpunim në rajon ka thënë kryeministri Thaçi.
Në këtë vazhdë, kryeministri Thaçi ka theksuar se Republika e Kosovës është në fazën e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe në këtë kuadër numri i vendeve që po njohin shtetin e Kosovës po rritet çdo ditë e më shumë.
Pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tani ne presim njohjen edhe nga Egjipti, u shpreh kryeministri Thaçi.
Përfaqësuesit politik nga Egjipti janë shprehur të kënaqur me vizitën në Republikën e Kosovës dhe shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim të gjithanshëm dhe miqësor në mes të Egjiptit dhe Kosovës.