Kryekuvendari Krasniqi u nis për vizitë në Bruksel
Prishtinë, 12 prill - Me ftesë të kryetarit të Parlamentit Evropian dhe të kryetarit të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u nis sot për vizitë në Bruksel.
Kreu i legjislativit të vendit më 13 dhe 14 prill do të marrë pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temën Ballkani Perëndimor drejt një Evrope më të integruar, i cili do të mbahet në Bruksel.
Gjatë kësaj vizite kryekuvendari Krasniqi, më 15 prill, do të ketë një takim të veçantë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, si dhe me përfaqësues tjerë të Parlamentit Belg. Po kështu, pritet që të realizohen edhe takime të veçanta me drejtues të lartë të Parlamentit Evropian.
Kryekuvendari Krasniqi do të shoqërohet nga Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Mehmet Hajrizi, shef i Kabinetit të Kryetarit dhe Skender Reçica, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.