Kryekuvendari Krasniqi në Shqipëri
Tiranë, 14 shkurt - Me ftesë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, do të marrë pjesë në Forumin e 6-të publik të kësaj Akademie, i cili do të mbahet, më 14 shkurt 2014, në Tiranë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, në kuadër të qëndrimit të tij në Tiranë, ku po merr pjesë në Forumin e 6-të publik, të organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, u prit sot në takime të ndara nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Duke i uruar mirëseardhje kryekuvendarit Krasniqi, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vlerësoi lart bashkëpunimin që po zhvillohet ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe të Kosovës në të gjitha fushat. Presidenti Nishani u angazhua edhe për nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në lëmin ekonomik.
Kryekuvendari Krasniqi u prit në një takim edhe nga kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Në takim u theksuan rezultatet që po arrihen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, por edhe ndërmjet institucioneve tjera të Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkëbiseduesit shtruan nevojën që të bëhet më shumë në harmonizimin e termave juridike në legjislacionin e të dy shteteve.
Në të dy takimet u shfaq gatishmëria e Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.