Kriza e vitit të kaluar pritet ta përcjellin Kosovën edhe në 2016
Prishtinë, 4 janar - Kriza dhe problemet e vitit të kaluar pritet ta përcjellin Kosovën edhe gjatë vitit 2016.
Madje situata mund të përkeqësohet, duke marrë parasysh pozicionet aktuale qeveri - opozitë, shkruan sot Koha Ditore.
Edhe pse ishte menduar se aktgjykimi i Kushtetueses mbi parimet e Asociacionit do ta kthjellojë situatën, kjo nuk ndodhi.
Qeveria refuzon ta rinegociojë marrëveshjen, duke siguruar se frymën e Kushtetutës do ta rikthejë me dekretin qeveritar dhe statutin e Asociacionit.
Ndërkaq opozita është duke u përgatitur për protestën e 9 janarit, valën e të cilave kanë thënë se nuk do ta ndalin deri në largimin e Qeverisë.
Bllokada e opozitës do të vazhdojë edhe brenda institucionit të Kuvendit, i cili sesionin vjeshtor nuk kishte arritur ta zhvillojë asnjë seancë normale.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë të dielën për Kohën Ditore se aktgjykimi i fundit, përbën një moment të ri dhe të rëndësishëm për skenën politike dhe krijon një hapësirë të re për reflektim të përbashkët dhe për qasje të përbashkët ndaj dialogut politik.
/Koha Ditore/