Krimi e korrupsioni në qeverisjen Thaçi po e shkatërronë Kosovën
Prishtinë, 26 janar - Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Arben Gashi në një konferencë për media ka thënë se krimi dhe korrupsioni në dy vitet e fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrit Hashim Thaçi, po e shkatërron Kosovën.
Gashi, ku ka paraqitur një analizë të bërë nga ekspertët e LDK-së, sa i përket sundimit të ligjit në vend dhe aferave korruptive, që e kanë karakterizuar qeverisjen Thaçi.
Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit, qeverisja e vendit është karakterizuar si qeverisje me korrupsion, krim të organizuar dhe afera të shumta, të cilat kanë dëmtuar rëndë të ardhmen e vendit.
LDK, sipas Gashit, ka analizuar me kujdes të gjitha ngjarjet e ndodhura dhe ka përmbledhur në një raport aferat korruptive të qeverisë Thaçi si afera në Ministrinë e Punëve të brendshme me pasaportat biometrike, duke konkluduar se kjo është shumë e rëndë për qytetarët e Kosovës.
Kjo aferë korruptive prej 1.4 milion euro, sipas Gashit, ka shkaktuar humbjen e identitetit dhe krenarisë së qytetarëve të vendit, duke ua vështirësuar në shkallë të madhe mundësinë e lëvizjes së lirë.
LDK në listën e keqpërdorimeve të kësaj Qeverie ka radhitur dhe keqpërdorimin me municione dhe armatime të Policisë së Kosovës, aferë kjo e cila, sipas tyre, ka rrezikuar jetën e policëve dhe humbjen e miliona euro për buxhetin e Kosovës.
Po ashtu, në analizën e LDK-së përmendet dhe vjedhja në dhomën e dëshmive si një rast i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe arrestimi për korrupsion i udhëheqësit të Task Forcës speciale të emëruar nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, gjë që, sipas tyre, përben skandal të llojit të vet.
Po ashtu edhe vjedhja në dhomën e dëshmive të stacionit të policisë në Pejë, aferat e korrupsionit në Ministrinë e Post telekomunikacionit dhe infrastrukturës si dhe keqpërdorime në procesin e privatizimit, sipas LDK-së, janë raste të rënda korruptive, që kanë dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmen e vendit.
Gashi ka thënë se aferat korruptive në të gjitha ministritë kanë bërë që Kosova të kualifikohet si një vend i zhytur në krim dhe korrupsion.
Ndërsa, përveç përfshirjes në afera të shumta, në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucione shtetërore, problem të madh, sipas Gashit, paraqet dhe tendenca e Qeverisë, për ti marrë nën kontroll agjencitë dhe institucionet e pavarura, të cilat do të duhej të ishin kontribuuesit kryesor të krijimit të sistemit të kontrollit dhe balancimit të pushtetit.
Në listën e LDK-së për keqpërdorimet dhe korrupsion të kësaj qeverie, përmendet dhe PTK si një institucion publik, e cila, sipas tyre, është bartësi kryesor i korrupsionit, duke bërë shpërdorimin e miliona eurove dhe punësim të militantëve të PDK-së, pa kualifikim dhe jashtë interesit të kompanisë, gjë që ka bërë që kësaj kompanie ti bie vlera dhe të dëmtohet imazhi i vendit.
Edhe tentimi që ministri i Financave të bëhet guvernator i Bankës Qendrore, sipas LDK-së, është shkelje e rëndë dhe rrezikon të ardhmen dhe pavarësinë e sistemit financiar në vend si dhe konfirmon kapjen e shtetit nga grupet partiake të PDK-së si dhe grupet kriminale në qeveri.
LDK konsideron se me aferat me të cilat është karakterizuar kjo qeveri si dhe me përmbylljen e skenarit për kapjen e agjencive të pavarura shtetërore nga strukturat partiake të PDK-së dhe grupet kriminale, kemi kapjen finale të shtetit nga krimi dhe korrupsioni.
LDK cilëson se Kosova ka nevojë sa më parë për zgjedhje të reja, për të formuar një Kuvend që vjen nga votat e qytetarëve dhe jo nga votat e vjedhura nga militant partiak, thuhet në njoftimin e LDK-së.
LDK, po ashtu, vlerëson se Kosova ka nevojë sa më parë, për zgjedhje për të formuar një qeveri me ministra, që kanë duar të pastra dhe që kanë kredibilitet para qytetarëve të Kosovës.