Krijohet Rrjeti i zyrtarëve ndërlidhës komunalë për Diasporë
Prishtinë, 1 korrik - Këtë muaj, kur fillon fushata Ti je pjesë e atdheut, gjatë Ditëve të diasporës, që bashkëpunimi i Ministrisë me komuna të jetë më efikas në koordinimin e aktiviteteve, organizuar nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me programin DEED të UNDP-së dhe IOM-in, sot u mbajt punëtoria me zyrtarët ndërlidhës komunalë për diasporë.
Kjo punëtori u mbajt nga zyrtarë të MeD-së. Qëllimi i kësaj punëtorie ishte qasja e përgjithshme ndaj diasporës, gjetja e mënyrave të komunikimit dhe raportimit mes komunave dhe MeD-së, koordinimi i aktiviteteve për diasporën, qasja ndaj kulturës dhe arsimit në diasporë, strategjia e diasporës dhe bashkëpunimi me donatorët, regjistri i diasporës dhe rëndësia e tij, fuqizimi i lidhjeve me diasporën, si dhe tërheqja e investimeve.
Me krijimin e këtij rrjeti të zyrtarëve ndërlidhës komunalë për Diasporën, po përmbushet edhe një tjetër segment i rëndësishëm i Strategjisë për Diasporën.
Ministria e Diasporës beson se përmes krijimit të mekanizmave të tillë do të rritet efektiviteti i punës së institucioneve në raport me Diasporën.
Po ashtu, u diskutua se si aktivitetet e organizuara nga komunat të shfrytëzohen edhe për promovimin e rëndësisë së mësimit shqip në diasporë, regjistrimin, por edhe për tërheqjen e investimeve.