Krijohet grupi punues për zbatimin e Ligjit për Protokollin e Shtetit
Prishtinë, 4 tetor - Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga , Elmi Reçica, kryetar, ka biseduar lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, çështje kjo që hyn në kuadër të kompetencave të këtij komisioni.
Të gjithë anëtarët e komisionit, të pranishëm në takim, janë pajtuar ta monitorojnë këtë ligj duke e formuar edhe grupin punues në përbërje: Pal Lekaj, kryetar dhe Luljeta Veseli Gutaj dhe Teuta Rugova, anëtare të këtij grupi.
Kryetari i Komisionit, Reçica, ka ngritur çështjen e fuqizimit të rolit të komisionit në Kuvendin e Kosovës, sidomos sa i përket diplomacisë parlamentare dhe mbarëvajtjes së politikës së jashtme të vendit tonë. Në këtë kuadër ai i ka njoftuar të pranishmit për një vizitë pune që do ta ketë komisioni në
Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, duke u takuar me komisionin homolog atje. Anëtarët e komisionit do të kenë takime edhe me deputetë të veçantë, anëtarë të mekanizmave të ndryshëm rajonalë, për ti qartësuar mundësitë për anëtarësim e përfaqësuesve tanë në të tillë mekanizma.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, janë pajtuar njëzëri që ti thërrasin për të raportuar në komision ministrat përkatës që lidhen me politikën e jashtme dhe me dialogun me Serbinë, duke fillua nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Komisioni vendosi të dalë me një deklaratë kundër arrestimit arbitrar nga regjimi i Beogradit të komandantit të Policisë së komunës së Mitrovicës, Nehat Thaqi, veprim që minon procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.