Krijimi i Komunave të reja do të mund të krijoj sfida të reja
Prishtinë, 30 maj KDI në bashkëpunim me OJQ POLIS kanë organizuar sot në Lipjan një tryezë diskutimi me temë Sfidat nga krijimi i komunave të reja dhe potencialet e komunave për të siguruar qëndrueshmëri financiare.
Në këtë tryezë është diskutuar në lidhje me kapacitetet e komunave ekzistuese në Kosovë për të siguruar qëndrueshmëri financiare dhe ekonomike.
Poashtu, është diskutuar edhe lidhur me iniciativat e disa lokaliteteve në Kosovë, të cilat tashmë kanë paraqitur kërkesën për tu themeluar Komunë dhe ndikimi që mund të ketë në komunën amë.
Për shumicën e Komunave në Kosovë qëndrueshmëria financiare mbetet një sfidë që jo shumë shpejtë do mund të tejkalohet.
Derisa krijimi i Komunave të reja përveç se do të mund të krijoj sfida te reja për komunat ekzistuese, ato do të hasin sfida edhe më të mëdha për të krijuar qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare. Edhe nga komuna e Lipjanit dhe komunat në rrethinë ekzistojnë iniciativa për krijimin e komunave të reja.
Pjesëmarrës në këtë tryezë, përveç organizatave të shumta të shoqërisë civile, po marrin pjesë edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, z.Zenun Pajaziti, Kryetari i Komunës së Lipjanit, z.Imri Ahmeti, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z.Rufki Suma, Kryetari i Komunës së Graçanicës, z.Vladeta Kostic , përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe përfaqsues nga lokalitetet që synojnë të marrin statusin e Komunës.