22 Janar 2025

Krijimi i Forcave të Armatosura prioritetet kryesore i qeverisë

Prishtinë, 23 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar të martën një takim përshëndetës të fundvitit me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, ministri Thaçi ka shpalosur prioritetet kryesore të marrëdhënieve të jashtme të Kosovës për periudhën e ardhshme.

Sipas tij, disa nga prioritetet e diplomacisë kosovare do të jenë krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, nënshkrimi i MSA-së, dialogu me Serbinë deri te anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Krijimi i Forcave të Armatosura si një komponent multietnik i Kosovës dhe i arkitekturës rajonale të sigurisë do të bazohet në Rishikimin e Strategjisë së Sigurisë, e cila u zbatua në bashkëpunim me partnerët e NATO-së”, ka shtuar ai.

Zëvendëskryeministri Thaçi, duke shpalosur prioritetet, ka theksuar se Kosova duhet gjithashtu të procedojë me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në mënyrë të koordinuar me partnerët tanë dhe duke synuar një pajtueshmëri sa më të gjerë për anëtarësimin e Kosovës.

“Ju e dini që vizita ime e parë si ministër i Punëve të Jashtme ishte te Sekretari i Përgjithshëm i KE-se, Thorbjorn Jagland”, ka theksuar ai.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm Thaçi, ka thënë po ashtu se prioritet tjetër i diplomacisë kosovare është të vijojë më tutje me njohje të tjera dypalëshe dhe shumëpalëshe.

“Prioriteti ynë është të vijojmë më tutje me njohje të tjera dypalëshe dhe shumëpalëshe, duke u siguruar që Kosova është pjesë e organizatave shumëpalëshe në nivel rajonal dhe global, që është gjithashtu kritike për funksionimin e Kosovës në botën e ndërlidhur”, tha ai.

Zëvendëskryeministri  Thaçi ka folur edhe për programe të reja dhe inovative në diplomaci publike dhe digjitale që e kanë marrë vëmendjen globale në qarqet diplomatike dhe mediatike.

“Me këtë rast falënderoj Ambasadën britanike, norvegjeze, amerikane por edhe të gjithë partnerët tjerë që na kanë ndihmuar në diplomaci publike dhe ju ftoj të vazhdoni këtë mbështetje”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka kërkuar edhe më tutje mbështetjen e miqve të shumtë që ka Republika e Kosovës në jetësimin e këtyre synimeve.
 
Sipas tij, Kosova ka fatin për miqtë që ka dhe për mbështetjen që ata i japin synimeve diplomatike të Republikës së Kosovës.

Para korit diplomatik, ai është zotuar se Republika e Kosovës do t’i përfundoj të gjitha obligimet ndërkombëtare, në mënyrë që të jetë anëtare e plotë e sistemit ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri ka falënderuar ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në këtë vit dhe ka shprehur besimin e vazhdimin të kësaj përkrahje edhe në vitin 2015.

Nga ana tjetër, diplomatët e akredituar në Kosovë kanë theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe mbështetur prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)