Kresal shprehu mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën
Prishtinë, 10 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot ministren e Punëve të Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal.
Ministrja Kresal e uroi presidenten për zgjedhjen në krye të vendit dhe i shprehu mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në fushën ekonomike dhe atë politike.
Ajo ofroi përkrahjen e Ministrisë së Brendshme të Sllovenisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe u angazhua për qartësimin e pozitës së Kosovës në raport me BE-në.
Presidentja Jahjaga e falënderoi ministren e brendshme të Sllovenisë për përkrahjen që shteti i saj i ka ofruar dhe po i ofron Kosovës dhe e vlerësoi bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha të ndryshme.
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e madhe që ka përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe tha se vendosja e marrëdhënies kontraktuale me BE-në i ndihmon reformat e brendshme si dhe hap perspektivën evropiane për Kosovën.