Krasniqit pranoi raportin e zhvillimit njerëzor në Kosovë
Prishtinë, 25 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim zonjën Osnat Lubrani, koordinatore për zhvillim e OKB-së dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së.
Me këtë rast zonja Lubrani e përgëzoi kryekuvendarin për rizgjedhje në këtë post, duke shfaqur shpresën se roli i Kuvendit të Kosovës do të avancohet edhe më.
Lubrani theksoi se UNDP-ja dhe të gjitha agjencitë tjera të OKB-së që veprojnë në Kosovë do të thellojnë edhe më tutje bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, duke i ofruar mbështetje të përhershme në veprimtarinë e gjithëmbarshme.
Gjatë këtij takimi zonja Osnat Lubrani ia dorëzoi kryekuvendarit Krasniqi Raportin e Zhvillimit Njerëzor në Kosovë për vitin 2010.
Ky Raport synon të sfidojë statusquon në Kosovë, ashtu siç bëri edhe Raporti global ëmë, duke riformuluar objektivat zhvillimore të Kosovës lidhur me popullsinë e saj, e jo vetëm me ekonominë dhe ligjet e saj, duke ditur se koncepti i përfshirjes sociale është koncept kryesor në familjen evropiane.
Kryekuvendari Krasniqi u falënderua për urimet, si dhe për bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe UNDP-së e agjencive të tjera të OKB-së.
Ai u zotua se Kuvendi i Kosovës gjithnjë do të jetë i hapur e i angazhuar për thellimin e këtij bashkëpunimi.