Krasniqi: VV-ja ia ka bërë një shërbim të mirë kundërshtarit politik
Prishtinë, 29 qershor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, me rastin e kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes.
Ai ka thënë se VV-ja me këto veprime ia ka bërë një shërbim të mirë kundërshtarit politik të tyre.
Krasniqi ka shkruar në faqen e tij zyrtar në Facebook se në vend që të bëhej kryelajm në të gjitha mediet e vendit - Marrëveshja e keqe, kryelajm u bënë veprimet e dhunshme të VV-së mbi deputetët dhe diplomatët e sidomos pengesat e bëra ndaj ambasadores së SHBA-ve.
Ai ka shkruar se, veprimet e tilla janë tepër të dëmshme për demokracinë e brishtë të Kosovës. Veprimet e VV-së mbyten lajmin për marrëveshjen e keqe duke i bërë një shërbim të mirë kundërshtarit politik të tyre, ka shkruar Krasniqi, transmeton Epoka e re.
Krasniqi ka thënë se përgatitja për të ushtruar dhunë me gur dhe ngjyrë mbi policët - është një akt tjetër i dënueshëm dhe sulm mbi institucionin më vital të shtetit. Policët janë siguria e shtetit demokratik kudo e nuk mund të jetë ndryshe as tek ne, në Kosovë.
Atyre djemve politika duhet tua mbron dinjitetin e jo tua përdhos atë, ka thënë Krasniqi.