Krasniqi uroi Presidentin e Polonisë
Prishtinë, 12 nëntor - Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi uroi Presidentin e Polonisë, Shkëlqesinë e Tij, Bronisław Komorowski, dhe popullin polak në 93 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së këtij shteti.
Polonia është një shtet i cili vazhdimisht përkrah integrimin evropian dhe, mes të tjerash, është anëtare e Unionit Perëndimor, OECD dhe NATO-s.
Ushtarët polakë kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë me trimëri në misionet paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Afganistan, Irak dhe kanë fituar një respekt dhe admirim të veçantë nga populli kosovar, thekson në urimin e tij z.Krasniqi.
Ai gjithashtu thekson se Republika e Kosovës përgjithmonë do t'i jetë mirënjohëse Republikës së Polonisë për njohjen e shpejtë të shtetit tonë si shtet i pavarur dhe sovran dhe do të angazhohet edhe më tej për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.