Krasniqi: T'i mundësohet Kosovës prezenca në AP të OSBE-së
Prishtinë, 13 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare (AP) të OSBE-së, të kryesuar nga ambasadori Roberto Battelli, përfaqësues special për Evropën Juglindore i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Kryetari Krasniqi i falënderoi përfaqësuesit e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në shumë fusha, si: në fuqizimin e institucioneve demokratike, në zbatimin e ligjeve, në fushën e të drejtave të komuniteteve pakicë e në organizimin e zgjedhjeve.
Në mënyrë të veçantë, Krasniqi përmendi mbështetjen e OSBE-së për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kreu i Kuvendit bëri një pasqyrim të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe një ekspoze të punës së legjislativit të vendit.
Ai foli për sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës dhe Kuvendi, duke përmendur zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e rendit dhe të ligjit, veprimin e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës, nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, integrimin euro-atlantik, vazhdimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, miratimin e sa më shumë ligjeve dhe në përputhje me Acquis Communautaire, rolin mbikëqyrës të Kuvendit etj.
Kërkesë e veçantë e kryeparlamentarit Krasniqi ishte që edhe Kosovës ti mundësohet prezenca në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, fillimisht në cilësinë e vëzhguesit dhe më pas përmes anëtarësimit me të drejta të plota.
Ambasadori Roberte Battelli theksoi se OSBE-ja është mike e tërë popullit të Kosovës dhe se i takon ekzekutivit të saj që ti bëjë lëvizjet e nevojshme që mund të përfundojnë me një formë të pjesëmarrjes aktive të parlamentarëve të Kosovës në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Duke ofruar mbështetjen e OSBE-së për Kuvendin e Kosovës edhe në të ardhmen, Battelli dhe përfaqësuesit e tjerë të saj shfaqën interesimin e tyre për disa nga zhvillimet aktuale në Kosovë, si: për fillimin i punës për ndryshimin e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor në Kosovë, procesin e decentralizimit, të drejtat e komuniteteve pakicë, dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë etj.
Për të gjitha çështjet e ngritura, kryetari Krasniqi dha informacionet dhe sqarimet e nevojshme.