01 Maj 2024

Krasniqi: Tentuan të më blinin me para

Prishtinë, 27 mars - “Ishte ditë e premte, rreth orës 7 e 45, derisa shkoja në punë, papritmas u gjenda në mesin e një numri të madh të forcave të sigurisë ndërkombëtare, para hotel ‘Therandës’.

Mbi 200 pjesëtarë të forcave ndërkombëtare e kishin bllokuar gjithë zonën dhe në atë çast më ndaluan, më kërkuan dokumentet, dhe pa u bërë një minutë m’i lidhën duart mbrapa”, kështu e kujton çastin e arrestimit, dhjetë vjet më parë, Kimete Krasniqi, e akuzuar për një tentimvrasje ndaj Hamëz Hajra, e cila kishte ndodhur, kur Kimetja ende s’i kishte mbushur 18 vjet. “Më arrestuan me pretekstin e një tentimvrasje, të një pjesëtari të policisë serbe me origjinë shqiptare. Për një tentimvrasje që kishte ndodhur më 19 prill të vitit 1998 në Drenicë. Mua më akuzuan si organizatore e atij tentimvrasjeje”, tregon Kimetja.

Fillimisht atë e kanë dërguar në Prizren e pastaj e kanë sjellë në Prishtinë. “Ishte një ndjenjë shumë e keqe, që të arrestohesh në atë mënyrë, madje të akuzohesh për diçka që nuk e ke bërë”, rrëfen Krasniqi, e cila me t’u dërguar në qendrën e paraburgimit në Lipjan ka thënë se ka përjetuar tmerrin. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë çfarë tmerri më ka ndodhur gjatë qëndrimi tim në atë qendër nga 5 prilli deri më 3 nëntor të 2002-s”, tregon ajo. Pas qëndrimit të saj në paraburgim, kohë kjo kur ishin zhvilluar edhe seancat gjyqësore kundër saj, Kimetja ka thënë se i janë bërë shumë padrejtësi.

“Çastet që i kam kaluar në Burgun e Lipjanit, sidomos në periudhën maj-qershor, kur kanë ardhur gardianet serbe, kurrë s’i harroj. Kam pasur shumë maltretime psikike. Maltretimet u shtuan edhe më shumë kur kuptuan se unë kisha qenë pjesëtare e UÇK-së dhe isha arrestuar kinse që kam tentuar ta vras një bashkëpunëtor të tyre. Nuk i harroj kurrë rastet kur merrja kartat për ta shfrytëzuar telefonin për të folur me familje dhe pa e përfunduar fjalinë e parë, ‘babë qysh je’, gardianja serbe ma hiqte kartën”, ka kujtuar Kimetja. “Kjo ka qenë koha më e keqe e jetës sime. Nuk kisha menduar se do të vijë ajo ditë që një serbe do të më mbyllte derën në Kosovën e lirë. Mi kanë shkelur edhe të drejtat që më takonin si e burgosur. Nuk më lejonin të lexoja as libra”, ka treguar ajo.

Tentuan të më blinin me para

Në vazhdim Kimetja ka folur edhe se si hetuesit ndërkombëtarë i kanë ofruar të holla, që të bashkëpunojë me ta. “Edhe pse kishte dizinformata se kinse unë bashkëpunoja me UNMIK-un, isha e pastër në tërë procesin, këtë mund edhe ta argumentoj me anë të deklaratave të mia të cilat mund t’ua ofroj edhe lexuesve tuaj. Më është dukur sikur në filma, kur ma kanë ofruar një çantë me para dhe më kanë thënë: ‘Kjo është oferta jonë për ty. Nëse ti bashkëpunon me ne’. Mi kanë ofruar 200 mijë euro. Ka qenë një hetues ndërkombëtar, Riqard Grif, së bashku me Helenen, mbiemri i së cilës nuk më kujtohet tash. Përveç atyre parave, më ofruan strehim, sigurim, shkollim dhe gjëra të tjera për mua dhe familjen time në Kanada.

Ata kanë kërkuar nga unë që në këmbim të dhënies së këtyre parave t’i përmendja disa emra të ish-eprorëve të UÇK-së”, ka treguar Kimetja. Edhe pse ishte e re, mbi supet e saj mbante një barrë të rëndë.
Ajo thotë se asnjëherë nuk është ligështuar para ofertës së majme. “Kujtuan se mund të më blinin me para, pasi isha e re. Mirëpo unë refuzova kërkesën e tyre, sepse isha e pafajshme, siç ishin edhe të akuzuarit e tjerë në grupin tonë”, ka treguar Kimetja, duke shtuar se gjatë gjithë kohës është deklaruar e pafajshme, pasi nuk e kishte kryer veprën për të cilën akuzohej dhe e vuante dënimin. “Kam qenë e pafajshme, prandaj jam deklaruar e pafajshme.

Nuk kam pasur dijeni se kush kishte organizuar dhe se kush e kishte kryer veprën për të cilën unë ngarkohesha. Pra, në rastin e vitit 1998 si dhe të vitit 2001 bëhet fjalë për të njëjtin person, Hamëz Hajren. Ai ishte vrarë në gusht të vitit 2001, nëse nuk e gaboj datën. Kurse unë jam arrestuar në vitin 2002”, ka deklaruar ajo. “Hetuesit ndërkombëtarë më thoshin se gjoja unë i kam urdhëruar eprorët e UÇK-së për ta kryer vrasjen e këtij personi. Në kohën kur ka ndodhur kjo, unë kam qenë shumë e re për të urdhëruar dikë për diçka e lere më për një vrasje”, është shprehur Kimetja, duke treguar padrejtësitë që i janë bërë.

“Çdo javë kanë ardhur në Burgun e Lipjanit, duke tentuar të më bindin për t’i ndryshuar deklaratat, madje për këtë më kanë bërë edhe presione të ndryshme. Kam pasur edhe maltretime psikike, por pavarësisht presionit dhe maltretimeve të shumta, në asnjë çast dhe rrethanë nuk kam pranuar t’i ndryshoj deklaratat e mia fillestare, të cilat kanë qenë shumë të sakta”, ka thënë ajo. Po ashtu, Kimetja ka treguar se gjatë marrjes në pyetje e kanë pyetur për shumë njerëz, për shumë emra të pjesëtarëve të luftës. “Me pyesnin për njerëz të Llapit, eprorë të UÇK-së, që unë as që i njihja, madje emrat e disave prej tyre vetëm i kisha dëgjuar.

Më kanë maltretuar gjatë kësaj periudhe, duke më marrë në pyetje pa i respektuar procedurat ligjore”, ka thënë Kimetja, duke shtuar se pas qëndrimit në burg për shtatë muaj, ajo është liruar një të diele. “E mbaj mend sikurse sot, edhe pse kanë kaluar disa vite. Ka qenë ditë e diel, madje u befasova shumë, sepse të dielave nuk punonte asgjë. U ktheva në shtëpinë time, të gjithë ishin të gëzuar, sepse mendonim se kësaj ngjarje të keqe i erdhi fundi”, është shprehur ajo. Pas lirimit ajo ka treguar se për disa vite ka qëndruar në Slloveni. “Unë kam shkuar në Slloveni në mënyrë të rregullt, kam aplikuar dhe e kam marr vizën. Jashtë vendit kam qëndruar për disa vite. Por, gjatë asaj kohe familjen time e kanë maltretuar shumë.

Duke e bastisur herë pas herë, duke marrë në pyetje, madje edhe fëmijët e moshës 3-vjeçare pa praninë e prindit”, ka thënë Kimetja, duke shtuar se nuk ka dashur të kthehet sërish në Kosovë, pasi e dinte se përsëri do ta dërgonin në burg. “Kanë kërkuar kthimin tim, por unë s’jam kthyer, sepse e kam ditur se do të më mbajnë padrejtësisht në burg siç i kanë mbajtur të akuzuarit e tjerë për këtë çështje. Edhe pa praninë time seancat gjyqësore kanë vazhduar”, është shprehur ajo, duke përmendur shkeljet ligjore që janë bërë gjatë procesit të saj gjyqësor.


“Më kanë mbajtur në burg pa vazhdim të paraburgimit, ku për këtë kemi bërë edhe ankesë te Avokati i Popullit. Pra, më kanë mbajtur në paraburgim pa kurrfarë dokumenti. Kjo ka qenë kundër ligjit. Po ashtu, pa kurrfarë vendimi jam liruar nga burgu, madje jam liruar të dielën. Nuk më kanë dhënë asnjë letër apo ndalesë. Thjesht, vetëm më kanë thënë je e lirë”, ka treguar Kimetja.

“Fillimisht Gjykata e Qarkut në Gjilan më ka dënuar me gjashtë vjet burg dhe kam qenë e obliguar ta vuaj dënimin. Por, s’jam kthyer në Kosovë ta vuaj dënimin. Pastaj me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës unë jam liruar dhe është hedhur poshtë vendimi i Gjykatës së Qarkut në Gjilan, pasi avokati im Destan Rrukiqi ka bërë ankesë që janë shkelur procedurat ligjore dhe mbi bazën e asaj ankese është hedhur poshtë vendimi dhe jam liruar deri në një rigjykim të ardhshëm”, ka treguar. “Më 5 janar të vitit 2011 me kanë bërë padrejtësi duke ardhur në shtëpi policia, duke më arrestuar për të njëjtin dënim, edhe pse tashmë vendimi për këtë ishte anuluar. Prandaj, ligjërisht s’mund të ketë edhe dënim edhe rigjykim për të njëjtën çështje, por ky proces ka qenë i montuar nga ndërkombëtarët nga UNMIK-u”, ka thënë Kimetja.

Fundi i procesit gjyqësor

Kimetja ka treguar se në mungesë të fakteve dhe në bazë të përshkrimit të veprës penale prokurori ka hequr dorë. “Pata zgjedhur opsionin e heshtjes, pasi nuk dëshiroja t’i ndryshoja deklaratat fillestare. Thjesht s’ka pasur fakte dhe kurrfarë provash që të dënohem. I tërë procesi gjyqësor është mbajtur me kopje të dokumenteve dhe asnjë dokument origjinal nuk ka qenë. Të gjitha dokumentet origjinale janë zhdukur. Nuk ka pasur fakte, kanë bërë çka kanë dashur për 10 vjet dhe, në fund, më kanë thënë je e lirë”, ka thënë Kimetja, e cila ka treguar se para disa ditëve është liruar me vendim të prokurorit, i cili kishte hequr dorë nga akuza. “Prokurori ka heq dorë prej akuze, dhe ky është verdikt i formës së prerë.

Ka qenë një prokuror ndërkombëtar dhe një vendor, Arben Kadriu”, është shprehur ajo, duke përshkruar emocionet kur është liruar. “Kam qenë tërësisht e shtangur. Derisa të tjerët me uronin, unë nuk ndihesha e gëzuar. S’kam besuar një gjë të tillë, duke e pasur parasysh atë që ka ndodhur për dhjetë vjet. As mendja nuk më ka shkuar”, ka treguar Kimetja. Ajo ka thënë se me 185 vjet burg është dënuar i tërë grupi i tyre. “Deri më tani jemi liruar 8 persona, ndërsa 5 të tjerë ende mbahen padrejtësisht në burg, duke vuajtur dënimin për një vepër që nuk e kanë kryer. Unë e kam një shpresë, se edhe ata do të mund të lirohen një ditë, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndërkombëtarët largohen prej Kosovës. Nuk ka drejtësi ndërkombëtare në Kosovë. Unë nuk i besoj, sepse deri më tani është dëshmuar kjo në shumë procese gjyqësore. Prandaj, nuk besoj në drejtësi.

Drejtësia te rasti im ka triumfuar pas 10 vjetëve”, ka thënë Kimetja, e cila pas kësaj sfide ka marrë mundin t’i vazhdojë studimet. “Kam gjetur vullnet dhe i kam filluar studimet. Pikërisht kam zgjedhur Fakultetin Juridik për ta studiuar, sepse kam menduar që një ditë do ta parandaloj t’i ndodhë dikujt ajo që më ka ndodhur mua. Po ashtu, jam duke i vazhduar studimet edhe në Fakultetin Ekonomik”, ka treguar ajo, e cila tani është absolvente e Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik në të njëjtën kohë. Në përmbyllje të këtij rrëfimi Kimetja ka uruar që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos e përjetojë historinë e saj. “Mbes me shpresë që kjo padrejtësi që më është bërë mua si ushtare e UÇK-së të mos i bëhet askujt tjetër”, ka thënë Kimetja. Gazeta Epoka e RE
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)