Krasniqi takon kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik
Londër, 30 tetor - Në vazhdën e vizitës zyrtare në Londër, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, është pritur sot në takime të ndara nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik, John Bercow, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ministri për Evropë, David Lidington dhe personalitete të tjera të jetës politike britanike.
Takimi ndërmjet kryetarëve Krasniqi e Bercow, u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, duke pasur parasysh edhe miqësinë ndërmjet dy homologëve. Kryetari Krasniqi bëri një paraqitje të gjendjes në Kosovë, të sfidave para të cilave është Kosova, me theks të veçantë të atyre që lidhen me procesin e integrimit evropian, me stabilizimin e gjendjes në veri dhe shtrirjen e kushtetshmërisë edhe në atë pjesë të vendit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik, nga ana e tij, siguroi kryeparlamentarin Krasniqi se Parlamenti Britanik është një mik i madh i Kosovës. Ne mbështesim pavarësinë dhe integritetin e shtetit të Kosovës, theksoi Bercow.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që parlamenti dhe gjithë shteti britanik i ka dhënë Kosovës, kryetari Krasniqi tha se pa këtë mbështetje të Britanisë së Madhe, të BE-së dhe SHBA-ve, Kosova nuk do ta kishte këtë nivel të zhvillimit.
Ne kemi mësuar vazhdimisht dhe kemi nevojë të mësojmë edhe më nga demokracia më vjetër parlamentare në botë, ajo e Britanisë së Madhe, theksoi Krasniqi, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme britanike për Kosovën, posaçërisht në procesin e integrimit euro-atlantik. Ai tha se Kosova po ndërton një shoqëri dhe rend të ri demokratik, në të cilin Kuvendi po jep kontributin e tij.
Edhe në takimin me ministrin për Evropë, David Lidington, kryetari Krasniqi bëri një pasqyrim të zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe të të arriturave të saj. Ai foli për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, studimin e fizibilitetit, procesin e liberalizimit të vizave etj.
Në Evropë deri tash është folur për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa tash është hyrë në veprime konkrete dhe këtë e konsiderojmë një sukses të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve, që kanë punuar dhe po punojnë me përkushtim për ta çuar Kosovën drejt BE-së, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se të gjitha rekomandimet e Raportit të Progresit, Kuvendi i ka kthyer në plane veprimi dhe kështu po bën edhe me rekomandimet e Raportit të Studimit të Fizibilitetit.
Ai tha se legjislacioni që ka të bëjë me integrimin evropian po trajtohet dhe do të trajtohet me prioritet nga Kuvendi.
Duke folur për raportet me Serbinë, kryetari Krasniqi tha se dialogu është vlerë evropiane dhe Kosova e ka pranuar atë, për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, megjithëse, siç tha ai, kjo e fundit nuk ka treguar vullnet për të zbatuar marrëveshjet e deritashme.
Serbia e ka penguar dhe po e pengon Kosovën në rrugën e integrimit evropian, por ajo po e pengon edhe veten e saj, u shpreh kryeparlamentari Krasniqi.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në Kosovë, kreu i legjislativit të vendit tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka rezultate të dukshme, gjë që tregon se Kosova gjithnjë e më shumë po i përmbush kriteret e BE-së. Krasniqi tha se Kosova ka vendosur standarde të larta të të drejtave të pakicave, veçanërisht për komunitetin serb, duke shfaqur dëshirën që politika të tilla të zbatohen edhe ndaj shqiptarëve në Serbi.
Ministri Lidington, ndërkaq, konfirmoi edhe njëherë përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për proceset e integrimit evropian të Kosovës, duke shtuar se tashmë Kosova ka hyrë në një kapitull të ri dhe shumë shpresues për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.
Ai tha se në këtë proces, Kosova do të trajtohet sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Diplomati britanik shfaqi shpresën se nuk do të ketë pengesa nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por kërkoi që institucionet e Kosovës të vazhdojnë reformat me përkushtim, për ta çuar vendin drejt integrimit evropian.
Ministri shfaqi mendimin që Kosova të ndërmarrë një fushatë njoftuese për serbët e Kosovës dhe të përgatisë një strategji të veçantë për veriun e vendit, duke ofruar për këtë ndihmën e qeverisë së tij.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ministri britanik mbështeti rezolutën e Kuvendit dhe shfaqi shpresën për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme.
Delegacioni parlamentar i Kosovës nesër do të takohet me anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare të Parlamentit Britanik të të dy dhomave, me kryetaren e Kuvendit të Londrës, znj. Jennette Armold etj.