Krasniqi, takoi këshilltarin e kongresistit Engel
Prishtinë, 16 shkurt - Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, takoi sot këshilltarin e kongresistit amerikan, Eliot Engel dhe drejtor i Stafit të Partisë Demokratike në Komitetit për Punë të Jashtme në Kongres, z. Jason Steinbaum.
Sekretari Krasniqi e njoftoi këshilltarin Steinbaum për punën e administratës së Kuvendit dhe angazhimin e përditshëm për avancimin profesional të kapaciteteve të saj, në funksion të mbështetjes së stafit politik dhe ofrimit të ekspertizave profesionale.
Administrata, sikurse edhe vet Kuvendi i Kosovës, është e re dhe çdo mbështetje për të është e mirëseardhur dhe tejet e nevojshme. Përvojat e parlamenteve të vendeve të zhvilluara, sikurse është Kongresi Amerikan, janë praktika të çmuara për parlamente në zhvillim, sikurse Kuvendi i Kosovës, theksoi sekretari Krasniqi.
Sekretari i Kuvendit shtoi se mbështetja e ofruar nga HDP-ja e Kongresit Amerikan ka qenë shumë e rëndësishme në zhvillimin e administratës së Kuvendit, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend.
Përmes kësaj mbështetjeje ne kemi arritur të ndërtojmë dhe avancojmë kapacitetet tona në shumë aspekte, siç janë organizimi dhe funksionimi më efikas i komisioneve, hulumtimet parlamentare, reformimi i procesit ligjvënës, forcimi i mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare dhe rritja e transparencës në raport me publikun, tha me këtë rast sekretari i përgjithshëm i Kuvendit.
Këshilltari Steinbaum, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për zhvillimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh shprehu gatishmërinë për të përcjellë kërkesat e administratës së Kuvendit të Kosovës te autoritetet përkatëse të Kongresit Amerikan, në funksion të marrjes dhe implementimit të përvojave në punën e komisioneve parlamentare dhe të Kuvendit në përgjithësi.